Muhamet Tartari (Vranisht, Vlorë) Muhamet Tartari është poet dhe rapsod i Labërisë. U lind në vitin 1949 në Vranisht të Labërisë (rrethi i Vlorës). Shkollën 7 vjeçare e kreu në vendlindje dhe më pas përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Halim Xhelo” në Vlorë. Pas dy vitesh si mësues vullnetar në veri (Kukës dhe Pukë) nis studimet për Histori-Gjeografi në Institutin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ka punuar fillimisht si arsimtar. Më pas, i përfshirë në kërkimet lidhur me folklorin dhe këngën e Labërisë dhe veçanërisht të Vranishtit, Muhamet Tartari zgjidhet drejtues e udhëheqës artistik i grupit polifonik dhe drejtor i shtëpisë së kulturës në Vranisht. Grupi i Vranishtit, një ndër më të famshmit në Shqipëri, merr çmimin ndërkombëtar “Evropa për Mbrojtjen e Folklorit” në vitin 1986 nga Fondacioni Gjerman “Alfred Toepfer”. Grupi ka marrë pjesë në 4 festivale folklorike të Gjirokastrës dhe kompeticione të tjera të asaj kohe me vallen e burrave të Vranishtit si “Shpata jonë gris fermanë”, “O trima vallen ma mbani” etj.
Muhamet Tartari me grupin e fëmijëve të Vranishtit me vallen “Jemi Burra Labërie” është pjesëmarrës në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 2000. Grupi i Vranishtit performon me vallen “Cili je ti more burrë” kushtuar Ismail Qemalit, e cila bëhet edhe kolonë zanore e filmit “Nëntori i Dytë”. Grupi i Vranishtit shoqëron si vokalist me këngën “Hape, hape derën” Luiz Ejllin në Festivalin Evropian të Këngës, i cili performoi me këngën “Zjarr e ftohtë”, kompozuar nga Klodian Qafoku. Ka botur një vëllim me poezi dhe këngë, titulluar “Vallja e Vetëtimave”. Vazhdon të jetojë në Vranisht të Vlorës. Mban vlerësimin “Personalitet i Shquar i Labërisë” akorduar nga Shoqata “Labëria” si dhe Nderi i Komunës “HorëVranisht”. Ka mëse 30 vjet që punon në fushën e arsimit dhe aktualisht është drejtor i shkollës së mesme të Vranishtit. Është i martuar dhe është baba i tre fëmijëve. Mban Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, të Dytë dhe të Tretë të propozuar nga Kuvendi Popullor në atë kohë.